" /> ">

MEGA i përgatit sfidën Bollanos në Himarë

03/03/2011 12:00

“Bollano duhet të mendohet mirë për rikandidimin e 8 majit dhe të përgatitet për humbjen, pasi përballë do të ketë kandidatin tonë superior, konkurrues dhe fitues”.

Kjo deklaratë vjen nga selia e Partisë MEGA me qendër në Sarandë.


Kryetari i kësaj partie të minoritetit grek, Kristaq Kiço, është llogaritur si një ndër surprizat më të rëndësishme që partia ka gati për të hedhur në fushëbetejën elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Për këtë ai thotë se nuk është ende dita kur mund të bëhet publik emri i kandidatit që do t’i japë fund qeverisjes deficente të Bashkisë së Himarës nga Bollano, por Kiço siguron se reputacioni, kapaciteti intelektual dhe vizionet programore e zhvillimore të kandidatit që bën gati MEGA përballë Bollanos, do të jenë siguria e fitores së emrit të ri.

Po kështu, kreu i Partisë MEGA thotë se synimi maksimal i tyre përmban ambicien që votuesve të Sarandës t’u propozojnë një tjetër alternativë menaxhimi të bashkisë së këtij qyteti.

Ndërkohë, lehtësisht më i arritshëm konsiderohet prej drejtuesve të partisë së re të grekëve synimi për marrjen e pesë komunave në Sarandë dhe e tre të tjerave në Gjirokastër. Synimet janë për kryetarë komunash dhe këshilltarë.

Ndër të veçantat e deklaruara të kësaj partie është regjistrimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si forcë politike që konkurron jashtë çdo koalicioni. “MEGA është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si forcë politike e vetme, e papërfshirë në asnjë koalicion”, konfirmon Kiço.

Ndërkaq, ai shton se përzgjedhja e kandidaturave shkon drejt finalizimit.

“Së fundmi kemi qenë në Komunën e Dhivrit, ku kanë dalë emra konkretë”, thotë Kiço.

Në zonën e Dropullit do të diskutohet për të marrë fitore në tri komuna të kësaj krahine të banuar nga popullsi që i përket minoritetit grek. Gjithashtu, një komision përzgjedhës i ngritur posaçërisht do të bëjë përzgjedhjen e emrave më potencialë që do të garojnë në pesë komuna të nënprefekturës së Sarandës.

Gjithsesi, surpriza më e madhe që po përgatit MEGA është kandidatura që ajo do të vërë përballë kryetarit aktual të Bashkisë së Himarës, njëherësh edhe kryetar i rizgjedhur në krye të organizatës “Omonia”, Vasillaq Bollano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA