Korcë, nënshtetas të askujt

03/03/2011 15:40

Vangjel Lena, banor i qytetit të Korcës që nga lindja, ka ngelur pa nënshtetësi. Kështu i thonë në zyrat e gjendjes civile të qytetit të Korcës ku i moshuari nuk mund të marrë dot asnjë dokument, sepse është cregjistruar nga listat e shtetasve shqiptarë.

Si ai janë disa dhjetra banorë të Korcës që ditët e fundit po hasin këtë problem. Në vitin 1989 ata kishin kërkuar heqjen e nënshtetësisë dhe vendimin e kanë marrë në vitin 1991.

Vangjel Lena priste të merrte nënshtetësinë greke, por nuk mundi dhe tani ka ngelur shtetas i askujt.

“Ne po vazhdonim, 20 vjet demokraci, me certifikata e me letra venim në zyrë. Tani më thonë që më është hequr nënshtetësia, se kush e hoqi nuk e di. Unë jam shtetas shqiptar sepse kam lindur në Shqipëri”, deklaron Lena.

Pranë zyrës së gjendjes civile është përpiluar një listë me emrat e shtetasve që kanë këtë problem dhe janë disa dhjetra.

Në vitin 1991 ata kërkuan vetë ndryshimet në gjendjen civile dhe shërbimet ndaj tyre janë pezulluar deri në rikonfirmimin e nënshtetësisë, të cilën mund ta marrin pasi t’i drejtohen zyrtarisht me kërkesë presidentit.

Top Channel