Hungari, Topi takon homologun Shmit

03/03/2011 15:10

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe zonja e parë Teuta Topi, ndodhen për një vizitë zyrtare në Hungari.

Ata u pritën sot në një ceremoni solemne në Pallatin Sandor nga presidenti hungarez, Pal Shmit. Në vijim të dy presidentët zhvilluan bisedime në krye të delegacioneve zyrtare.

Që prej 1 janarit Hungaria po mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian, ndaj presidenti Topi ritheksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një përparësi e politikës së jashtme shqiptare.

Në këtë vizitë presidenti i Republikës shoqërohet edhe nga një grup i madh biznesmenësh. Ai dhe presidenti hungarez Shmit morën pjesë në Forumin e Dhomave të Biznesit të Shqipërisë dhe Hungarisë.

Në përshëndetjen e tij presidenti Topi vuri në dukje se ekzistojnë të gjitha mundësitë që niveli i shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve të rritet.

Gjatë qëndrimit në Hungari presidenti Topi ka vendosur edhe një kurorë në Sheshin e Heronjve të Budapestit dhe është takuar me përfaqësues të diasporës shqiptare në Republikën e Hungarisë.

Top Channel