Cmimet do të rriten më shumë

03/03/2011 15:50

Cmimet e drithërave, por edhe të disa perimeve që importohen nga jashtë do të vijojnë të kenë një rritje të ndjeshme.

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli është shprehur se kjo tendencë e rritjes së cmimeve është shkaktuar nga politikat e gabuara të marra në rang botëror, por edhe nga rritja e cmimit të energjisë.

“Ajo që nxit më shumë këtë rritje ka qenë sinkronizimi i ciklit të rritjes së produkteve ushqimore, bashkë me atë të energjisë. Për perimet e thata ne kemi një rritje nga që shkon nga 5 në 20%. Por ato që kanë ndikuar tek produktet ushqimore kanë qenë drithërat”, ka deklaruar Ruli.

Ekspertët e huaj dhe shqiptarë paralajmërojnë se cmimet e drithërave do të pësojnë rritje të mëtejshme.

80% e lëndës së parë, të drithërave tregtarët shqiptarë e importojnë dhe kjo pritet të sjellë rritje të cmimit të grurit, miellit dhe orizit.

“Prodhimi vendas i drithërave nuk mbulon shumë pasi ne i importojmë nga jashtë, pra cmimin e marrim nga importi. Nuk besoj se do kemi një rënie të shpejtë të cmimit të drithrave në tregun botëror”, ka theksuar Ruli.

Ministri i Bujqësisë tha se do të merren të gjitha masat që tregtarët shqiptarë të mos spekulojnë me cmimet dhe tendencat botërore, por deri tani nuk është vënë re asnjë nismë nga qeveria, e cila mëse njëherë këto kohët e fundit është shprehur se nuk ndërhyn në treg për të vendosur cmimet.

Top Channel