PS, ftesë grave për 8 marsin

02/03/2011 18:35

Deputetet e Partisë Socialiste kanë nisur takimet në qytete të ndryshme duke ftuar gratë dhe vajzat që t’i bashkohen protestës së 8 marsit.

“Duke filluar nga korriku e këtej ky nuk mund të quhet biznes, por një dyqan për bamirësi. Ne e mbajmë vetëm për bamirësi dhe me shpresën se do rregullohen gjërat”, është ankuar pronarja e një dyqani buke në Tiranë tek deputetja Olta Xhacka.

“Marr shkas nga ky rast për t’ju ftuar në protestën e tetë marsit që do të zhvillohet nga Partia Socialiste”, është përgjigjur kjo e fundit.

Ndërsa në Durrës, depuetet Klodiana Spahiu dhe Ermonela Felaj kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund atij që e quajtën rregjimi i fundit diktatorial në Europë, i dejtuar nga kryeministri Berisha.

“Në orën 11, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jeni të ftuar të protestoni për gjithcka ndaj këtij regjimi totalitar, për këtë korrupsion, për këtë rritje cmimesh dhe për gjithcka që i bëhet grave tona”, ka deklaruar Spahiu.

“Të protestojmë ndaj një qeverie që injoron njerëzit, që i trajton ata sikur nuk shikojnë dhe sikur nuk dëgjojnë. Besoj se ju do të jeni bashkë me ne në bulevard”, është shprehur Felaj.

Top Channel