Rama: Nuk i bojkotojmë zgjedhjet lokale

01/03/2011 13:25

Kryetari i PS, Edi Rama, duke rikonfirmuar qëndrimin e tij se zgjidhja e krizës politike në Shqipëri vjen me largimin e kryeministrit Berisha, ka ritheksuar se bojkoti i zgjedhjeve lokale është një opsion i pavlefshëm për të majtën.

“Sic e kam nënvizuar në kontaktet me miqtë e Shqipërisë, rinënvizoj se bojkoti i zgjedhjeve vendore nga opozita është një ëndërr që Saliu, Iliri dhe kusarët e shohin prej kohësh, por që nuk do të bëhet realitet”, ka deklaruar Rama.

Megjithatë, lideri i opozitës ka theksuar se për mbajtjen e tyre duhen kushte të reja, në mënyrë që të mund të garantohet vota e lirë.

“Zgjedhjet në këto kushte nuk mund të zhvillohen dhe ne kemi nënvizuar vullnetin tonë për t’i ndryshuar këto kushte, pa të cilat nuk mund të ketë zgjedhje jo vetëm më të mira se ato të fundit, por as si ato”, ka pohuar Rama.

Ai ka deklaruar se PS do të vazhdojë betejën e saj kundër qeverisë, në mënyrë që sipas tij, të clirohet vendi nga regjimi i politikës së vjetër që po grabit shqiptarët.

“Ne jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë, pasi më shumë se asnjëherë sot Shqipëria e ka të domosdoshme clirimin nga kthetrat e politikës së vjetër dhe armiqësore me shqiptarët, që mishërohet në këtë regjim vrastar, kusarie dhe matrapazllëku”, është shprehur Rama, i cili ka rikonfirmuar edhe vazhdimin e protestave.

“Nuk ka asnjë dyshim se ne do vazhdojmë rrugën e ballafaqimit frontal, ku mund të marrë jetë beteja për fitoren e kësaj kauze të demokracisë dhe drejtësisë, pa të cilën nuk mund të ketë një rivendosje në rrugën e duhur të ekonomisë së vendit. Ky ballafaqim do vazhdojë me këmbëngulje dhe intensitet në rritje dhe po ashtu edhe demonstratat do vazhdojnë dhe do të intensifikohen”, ka shtuar Rama.

Pyetjes së gazetarëve nëse do të rikandidojë për bashkinë e Tiranës, Rama i është përgjigjur: “Do vendoset në momentin e duhur”. 

Top Channel