Kodi, gjoba më të ashpra

01/03/2011 16:30

Drejtori i sigurisë rrugore në policinë shqiptare Shkëlzen Aliaj, interesimit të deputetëve se pse shihen shpesh policë që nuk rrinë në krye të detyrës ju përgjigj jo pa ironi se, pas çdo polici ka një deputet.

Përgjigjja e shefit të sigurisë rrugore në vend, ishte e ashpër, ndërsa reagimet ishin të qeshurat e deputetëve të komisionit të sigurisë kombëtare.

“Në përgjithësi të gjithë këta elementë që ndodhen në shërbimin e policisë rrugore kanë nga një deputet nga mbrapa që i mbështet”, është shprehur Aliaj.

Gjatë një propozimi për ndryshimin e kodit rrugor në Shqipëri, Aliaj u shpreh se kërkohet në mënyrë urgjente ndërhyrja, për shkak se pjesa më e madhe e aksidenteve vjen nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit.

Por Aliaj sulmoi ashpër edhe sistemin e sinjalistikës.

“Përdorimi i pijes alkoolike, tejkalimi i normave të shpejtësisë, mospërdorimi i rripave të sigurimit, mospërdorimi i kaskës mbrojtëse, këto janë shkaqet kryesore në aksidentet me pasoja fatale dhe plagosje të rëndë. Përdorimi i sistemit, kryesisht në qendrat e banuara, lë shumë për të dëshiruar. Nuk kanë asnjë standard sigurie. Nuk ka një kryqëzim të prodhuar në bazë të normave standarde të Komunitetit Evropian, që çon në rritjen e sigurisë rrugore”, tha Aliaj.

Policia ka kërkuar rritjen me 5 deri në 10 herë më tepër të gjobave për shpejtësi dhe përdorim të pijeve alkolike.

Në fillim të kësaj seance, socialistët kanë kërkuar thirjen në seancat në vijim të ministrit të Mbrojtjes, Imami në lidhje me trafikun e armëve, si edhe të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Burgaj për ngjarjet e ndodhura në 21 janar.

Top Channel