Hoffmann: Duhet të ketë pasur urdhër për të qëlluar

28/02/2011 12:10

Ekspertja gjermane, Judith Hoffmann, në një intervistë për “Deutsche Welle”, bëri një përshkrim të gjatë mbi atë që ndodhi më 21 janar në Shqipëri.

Hoffmann është e njohur në Shqipëri për shkak të punës së saj për Bankën Botërore.

Duke iu referuar lajmeve të fundit në mediat shqiptare, ku një prej gardistëve është shprehur se nuk ka pasur urdhër për të qëlluar, Hoffmann jep gjykimin e saj lidhur me çështjen.

Sipas pretendimit të saj, më 21 janar ose ka pasur urdhër për të qëlluar, ose në të kundërt shteti nuk ka nën kontroll njësitë e tij policore.

“Krejtësisht e qartë është edhe që duhet të ketë një urdhër për të shtënë edhe në situata të tilla. Përndryshe thuhet, se nuk i ke nën kontroll njësitë e tua policore përkatëse, kur papritur shtihet pa pasur një urdhër për këtë veprim. Pra ka hierarki dhe struktura të urdhrit krejtësisht të qarta. Prandaj është e domosdoshme, që kjo të sqarohet, pra se çfarë ndodhi saktësisht dhe duhet marrë përsipër përgjegjësi politike. Kjo me çdo kusht. Sikur diçka e tillë të kishte ngjarë në Berlin, atëherë kjo (…marrje përgjegjësie) me siguri do të kishte ndodhur më shpejt. Por thjesht është e vështirë që kontekstet të krahasohen 1:1 me njëri-tjetrin”, thotë Hoffmann në intervistën e saj.

Judith Hoffmann është e mendimit se ky ka qenë natyrisht një vendim shumë i vështirë ose një vendim, i cili shkaktoi shumë irritime dhe rezistencë.

“Bashkësia ndërkombëtare u bë këtu e dukshme dhe e pranishme nëpërmjet kanaleve diplomatike. Mendoj, se kjo tregon mjaft fort, që duhet kërkuar respektimi me çdo kusht i kritereve të shtetit ligjor dhe normave e vlerave të tjera”, tha ajo.

Pyetja e madhe dhe vendimtare për eksperten Hoffmann është nëse nën shenjën e kësaj krize, zgjedhjet lokale do të arrijnë të krijojnë më shumë besim në sistemin politik. Zërat janë të ndarë, mendon ajo.

Ka nga ata që thonë: Jo, klima është dramatizuar në atë mënyrë ose aq e acaruar, saqë as zgjedhjet lokale nuk mund të shpien detyrimisht në reduktimin e kësaj krize.

“Por kjo është shpresa e bashkësisë ndërkombëtare: U përmbahemi hapave normalë, të planifikuar në procesin politik në Shqipëri dhe të shpresojmë që me zgjedhje lokale të pastra të krijohet më shumë qetësi dhe të zgjidhet kriza”.

Top Channel