Ekspertim të ri për armët e gardës

28/02/2011 13:50

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të riekspertojë armët e marra nga Garda e Republikës për hetimin e 21 janarit. Nga verifikimet e deritanishme nuk është gjetur ende arma që vrau Aleks Nikën, Hekuran Dedën dhe Faik Myrton.

“Do të kryhet një riekspertim për armët e marra në gardë. Do të kërkohen të gjitha armët që kanë qenë në përdorim gjatë 21 janarit, por edhe më parë dhe pas, për t’i krahasuar nëse me to është qëlluar ndaj demonstruesve apo jo” thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat saktësojnë se po shikojnë mundësinë për të kryer të tjera ekspertime në vendngjarje, pra brenda rrethimit të Kryeministrisë, ku do të asistojnë edhe ekspertë amerikanë.

“Grupi hetimor ka kryer një analizë të hollësishme të provave të mbledhura dhe ka dalë në konkluzionin se duhen të tjera verifikime dhe ekspertiza për të saktësuar mënyrat sesi janë qëlluar viktimat e 21 janarit”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.

Top Channel