Clinton: Gaddafi, largohu tani!

28/02/2011 20:10

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi nga Gjeneva se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë duke planifikuar aktualisht një sulm ndaj Libisë, ndërsa i bëri një thirrje të qartë Gaddafi-t për t’u larguar.

E pranishme në takimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Zvicër, femra më e fuqishme në Uashington deklaroi: “Gaddafi dhe personat pranë tij do të bëhen përgjegjës për këto akte, të cilat bien ndesh me obligimet ndërkombëtare dhe me moralin njerëzor.

Është koha që Gaddafi të largohet dhe këtë duhet ta bëjë tani, sepse kështu mund të bëjë një akt të mirë, duke kursyer jetë të tjera njerëzish të pafajshëm”.  

Sipas Zonjës Clinton, njerëzit libianë janë duke luftuar me shumë kurajo ndaj plumbave të diktatorit, por e pyetur për ripozicionimin e luftanijeve amerikane në Detin Mesdhe, ajo theksoi se nuk ka një plan për një sulm imediat ndaj Libisë.

Top Channel