Shtyhet regjistrimi i popullsisë

27/02/2011 15:00

Regjistrimi i popullsisë, i cili duhet të niste në  muajin prill do të shtyhet për në  vjeshtë. Zyra e  shtypit e Ministrit të Inovacionit, Genc Pollo ka pohuar se  është vendosur shtyrja e  regjistrimit pasi ky proces  përkonte  në një kohë kur pushteti vendor është i angazhuar me zgjedhjet lokale.

Sipas zëdhënëses së ministrit Pollo në fillim të kësaj jave do të mblidhet Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave i cili do të vendosë nëse procesi i regjistrimit do të kryhet gjatë muajit tetor ose nëntor.

Sipas të dhënave paraprake, deri tani bëhet fjalë vetëm për shtyrje të fillimit të regjistrimit dhe jo përjashtimin e deklarimit të kombësise dhe feseë cështje këto të kontestuara masivisht këto javët e fundit.

Afrimi i muajit prill, afati i paracaktuar për fillimin e procesit, shkaktoi një reaksion të gjërë në publik, media dhe disa institucione si KLD. Përvec kundërshtimit të deklarimit të fesë dhe etnisë, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ndërmori një fushatë denoncimit të parregullsive në proceset gjyqësore, përmes të cilëve rreth 2 mijë shqiptare kishin ndërruar kombësine shqiptare me atë greke.

Ndryshimi i kombësisë në jo pak raste sipas nënkryetarit të Këshillit të lartë të drejtesisë është kryer duke shkelur ligjin, dhe duke krijuar në mënyrë fiktive rritjen e numrit të minoritet grek në Shqipëri.

Por ky proces regjistrimi, i cili kushton 15 milion euro, dhe në pyetësorin e së cilit është futur edhe pyetja për kombësine dhe fenë ka ngjallur kundërshti të forta edhe nga Partia Drejtesi për Unitet dhe Integrim të cilët e kanë cilësuar si një proces anti-kombëtar. Edhe përfaqësuesit e botës akademike, mes tyre historianë dhe politikanë e kanë kundërshtuar hapur këtë proces.

Përfshirja e diplomatëve grekë dhe elementeve ekstremistë të lobit grek në Shtetet e Bashkuara në një fushatë në Shqipëri për të nxitur qytetarët në Korcë e zona të tjera të jugut, të deklarojnë kombësinë greke. Kjo konfirmoi dyshimet për një rol aktiv të Greqisë për të ndikuar në rritjen artificiale të atyre që vetëdeklarohen si grekë.

Edhe pse ky deklarim nuk ka vlerë ligjore, ai do të ishte një kartë e fortë në duart e Athinës dhe qarqeve ekstremiste për të ngritur një stuhi të re propagande mbi të ashtuquajturin Vorio Epir.

Gjithësesi nuk është sqaruar nëse vendimi për shtyrjen e regjistrimit është një reflektim i qeverisë mbi këtë cështje apo janë thjeshtë arsyet teknike sikundër deklarohet zyrtarisht.      

Top Channel