De Brichambaut: Hetim të plotë 21 janarit

27/02/2011 10:55

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka pritur në një takim zyrtar sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut. Duke iu referuar hetimeve të Prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit, diplomati i huaj ka theksuar se është e nevojshme që të kryhet një hetim i plotë dhe i pavarur.

“Ne mbështesim plotësisht punën e Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer një hetim të plotë, asnjëanës dhe gjithpërfshirës, duke përfshirë të gjitha aspektet e ngjarjes. Kjo duhet të bëhet pa asnjë ndërhyrje”, tha de Brichambaut.

Zyrtari i lartë ka theksuar se për zgjedhjet lokale të 8 majit do të ketë një prezencë të gjerë të vëzhguesve të OSBE-së.

“Jemi në favor të përmirësimit të kushteve të zgjedhjeve dhe për këtë ka qenë një mison i pranisë së OSBE-së dhe me rastin e zgjedhjeve lokale do të kemi një prezencë të gjerë që do të jenë së bashku me vëshguesit lokalë për zgjedhjet lokale. Besojmë se Shqipëria ka përpara një të ardhme të shkëlqyer dhe ne do të jemi sa më pranë saj”, është shprehur de Brichambaut.

“Nuk po i drejtohem asnjë partie politike, por ne i kujtojmë kujtdo rregullat dhe praktikat e mira që ekzistojnë me respektimin e institucioneve. OSBE bashkë me partnerët e saj ka qenë e qartë në këtë drejtim”, tha de Brichambaut.

Top Channel