PS: Shqipëria s’është sulltanati i Berishës

26/02/2011 13:15

Partia Socialiste, përmes deputetes së saj Eglantina Gjermeni ka deklaruar se kryeministri Berisha duhet të largohet sa më parë nga pushteti në mënyrë që Shqipëria të mos krahasohet me vendet e botës arabe, të përfshira nga revoltat e dhunshme.

“Shqipëria  nuk është Tunizia, ja pse nuk mund të tolerohet një kryeministër që u thotë demonstruesve banditë. Shqipëria nuk është Libia, ja pse nuk duhet të kemi një kryeministër që iu thotë bijve të nënave në protestë, të droguar. Shqipëria nuk është sulltanat, ja pse nuk duhet ta tolerojmë një kryeministër që bën sulltanin duke i quajtur burrat e gratë opozitar, minj”, ka deklaruar Gjermeni.

Sipas saj, Berisha nuk është udhërrëfyesi i popullit drejt Europës së dinjitetit njerëzor, por një udhëheqës keqbërësish që kanë vjedhur zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe që vranë për të vazhduar të vjedhin.

“Gratë, sot më shumë se kurrë, janë bashkë me nënën e Hekuran Dedës, motrat e Aleks Nikës, gruan e Faik Myrtaj dhe vajzën e Ziver Veizit, për ta larguar me fuqinë e të vërtetave të dhimbshme të këtij vendi Saliun. Fajin për të gjitha e ka Saliu. Pa Saliun Shqipëria s’do vritet, vidhet e gënjehet më nga qeveria e vet dhe shqiptarët s’do shahen më mes njëri-tjetrit”, është shprehur Gjermeni.

Top Channel