Nafta, rikthehet rritja, 168 lekë/litër

26/02/2011 08:00

Pas një pezullimi dyjavor, çmimi i naftës ka nisur rritjen, duke iu afruar nivelit të 170 lekëve për një litër. Të dhënat e ditës së djeshme tregojnë se karburanti po shitet gjithnjë e më shtrenjtë.

Benzina vijon të mbetet problemi kryesor, pasi shitet me çmim tepër të lartë, rreth 168 për litër, sipas zonave kryesore në Tiranë.

Tregtarët e naftës nuk vonojnë të japin një përgjigje të shpejtë që lidhet me trazirat në Lindjen e Mesme, së fundmi në Libi, shtet që ndikon në politikat energjetike në botë.

Edhe nafta, ashtu si benzina ka pësuar rritje të çmimit, me gati 10 për qind në tri ditët e fundit. Importuesit shprehen se këto ditë, në vend mund të zbarkohen sasi të konsiderueshme karburanti të blerë me çmimin e lartë.

Në bursat kryesore botërore, nafta bruto po kuotohet më shtrenjtë se një javë më parë, të paktën 10 dollarë për fuçi.

Edhe në njësinë matëse ton, treguesi kryesor që përcakton çmimin real të naftës që shitet në vend, ka një rritje të ndjeshme.

Nafta e Detit të Veriut, që tregtohet sipas Bursës së Londrës, është shitur dje me të paktën 113 dollarë për fuçi, nivel ky i lartë, por më i ulët se tri ditë më parë, kur preku rekordin e dy viteve të fundit, me rreth 120 dollarë.

Ndryshe paraqitet situata në bursat amerikane, ku nafta shitet me një çmim më të lirë, por gjithsesi më i lartë se në periudhat e kaluara, me të paktën 20 dollarë.

Në Bursën e Nju Jorkut, nafta e shitur me kontratat e muajit prill regjistroi çmimin mbi 103 dollarë, kur në fillim të janarit ishte nën 95 dollarë.

Top Channel