Vendosja e kasave po nxjerr në shesh evazionin e lartë fiskal në sektorë të caktuar të ekonomisë.
Top Channel ka mundur të sigurojë një raport konfidencial të tatimeve, që ka analizuar ecurinë e xhiros në 107 pika karburantesh për periudhën gusht nëntor të vitit të kaluar, duke e krahasuar atë me të njëtën periudhë të vitit 2009.
Sipas grafikut që tregon ecurinë e xhiros, bazuar tek deklarimet e tatimit mbi vlerën e shtuar, në periudhën gusht nëntor 2010 kur kompanitë e karburanteve kanë qenë të pajisura me kasa, xhiroja e tyre është dy herë më e lartë se sa e njëjta periudhë e vitit 2009, kur të njëjtat kompani nuk i kishin instaluar pajisjet fiskale që monitorojnë xhiron në kohë reale duke e bërë të pamundur mashtrimin.
Një rritje kjo e pashpjegueshme as nga rritja e çmimeve të karburanteve, por as edhe nga ndonjë faktor tjetër.
Të dhënat hedhin dyshime të forta se për vite me radhë evazioni në fushën e karburanteve ka qenë në përmasa gjigande duke krijuar një skemë të pastër grabitjeje në kurriz të qytetarëve.
Dyshime këto që mbështeten edhe nga një tjetër e dhënë e bërë publike nga vetë tregtarët, sipas të cilës konsumi i karburantit për frymë në Shqipëri është tre herë më i ulët se sa i i ekonomive të ngjashme.
Vetëm në katër muaj dhe vetëm në 107 nga 820 pikat aktive të karburanteve, sipas raportit të tatimeve, xhiroja e fshehur është mbi 45 milionë dollarë, nga të cilat rreth 20 milionë dollarë duhet të kishin shkuar në buxhetin e shtetit si taksa për t’u përkthyer në rrugë, spitale, shkolla apo të tjera shërbime publike.
Dhe këto janë taksa që janë paguar nga qytetarët në çmimin e karburantit.
Tregtarët dhe bizneset janë thjesht hallka e ndërmjetme e zinxhirit fiskal, që mbledhin taksat e paguara nga qytetarët për t’i derdhur ato në arkën e shtetit.
Me këtë skemë hallka është ndërprerë në mes.
E thënë ndryshe, edhe pse qytetarët i paguajnë taksat në çmimin e produkteve, ato nuk kanë shkuar në arkën e shtetit, por janë mbajtur si fitime të padrejta nga tregtarët.
Por ky është vetëm njëri nga sektorët e ndjeshëm të ekonomisë.
Situata mund të jetë e ngjashme edhe në sektorë të tjerë, të cilët nuk do të jenë kaq të lehtë për t’u disiplinuar sa karburantet.
Top Channel