Steinberg: Mbështetje Prokurorisë

25/02/2011 13:00

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë publike detaje nga takimi mes prokurores së përgjithshme, Ina Rama dhe zëvendës sekretarit amerikan të Shtetit, James Stainberg.

“Gjatë këtij takimi prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, pasi falenderoi Stainberg për mbështetjen që SHBA i kanë dhënë organit të akuzës në përmbushjen e detyrave të saj në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës, theksoi se Prokuroria mbetet e angazhuar dhe e vendosur në punën e saj për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit”.

“Duke e konsideruar këtë hetim si mjaft sensitive në opinionin publik, Prokuroria është shprehur gjithmonë për një hetim të plotë, të paanshëm, profesional dhe gjithëpërfshirës, duke mbetur larg çdo lloj ndërhyrjeje politike”.

“Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, Z. James Stainberg, duke vlerësuar punën dhe performancën e Prokurorisë Shqiptare, siguroi kryeprokuroren Ina Rama për një mbështetje të plotë në hetimet e organit të akuzës. Stainberg theksoi me këtë rast rëndësinë që Prokuroria, si një institucion i pavarur, të mbetet larg sulmeve dhe ndërhyrjeve politike, në mënyrë që të kryejë me paanësi detyrën e saj kushtetuese”.

Top Channel