KE raport për vizat

25/02/2011 00:00

Komisioni Europian ka paraqitur një raport paraprak ndaj Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së mbi procesin se si po ecën në praktikë politika e liberalizimit të vizave Shengen.

Komisionerja përgjegjëse Malmstrom e deklaroi këtë në përfundim të takimit me ministrat europiane, pa dhëne detaje të qarta.

“Po, sic e kisha premtuar ndaj vendeve anëtare, nëntorin e kaluar, se komisioni do të ndiqte nga afër situatën, sot dhamë një raport paraprak. Së pari, disa mekanizma janë vendosur si dialogu i ngushtë me vendet përkatëse, kemi ngritur një bord me Presidencën aktuale hungareze, atë të radhës polake, përfaqësues të agjensive FRONTEX, EUROPOL dhe të Komisionit Europian, pra me ata që e ndjekin në mënyrë të rregullt situatën në terren. Në përgjithësi, sigurisht, liberalizimi i vizave me këto vende ka qenë mjaft pozitiv. Është gjë e mirë që qytetarët dhe studentët kanë udhëtuar në mirëbesim, pra, është një eksperiencë shumë e mirë, por, gjithësesi ka pasur edhe disa abuzime dhe ne po mundohemi që t’i analizojmë ato si dhe po përpiqemi të angazhohemi në dialog me autoritetet e këtyre vendeve, të cilat po ashtu kanë bërë një punë të madhe duke u munduar që të shmangin përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.Pra, do të bëjmë një monitorim pasues logjik për këto dhe do t’i paraqes Këshillit në qershor një raport të plotë mbi kufirin”, deklaron Cecilia Malmstrom, Komisionere për Cështjet e Brendshme në BE.

Po në qershor, Komisioni Europian do të përgatisë përgjigjen ndaj Holandës, kërkesa e të cilës mbeshtetet dhe nga Franca dhe ka të bëjë me thjeshtëzimin e procedurave vendimmarrëse të BE-së për rikthim të mundshëm të regjimit të vizave, në rast të ballafaqimit me rrethana abuzuese nga një vend përfitues.

“Propozimi nuk synon ndonjë vend të posacëm të një rajoni të përcaktuar. Por, në përgjithësi, kërkon që të shohë mundësitë, që në rrethana të vecanta, të merret parasysh pezullimi i përkohshëm i liberalizimit të vizave. Kur të kthehem në qershor me raportin e plotë, natyrisht do të shprehem edhe mbi mundësitë ligjore e nëse mund të bëjmë ne ndonjë gjë mbi këtë cështje. Nuk bëhet fjalë për vende e rajone të vecanta, por Komisionit i është kërkuar të shohë në përgjithësi e të përcaktojë rrethanat e mundshme si dhe modalitetet ligjore për këtë”, tha Cecilia Malmstrom.

Më 8 nentor 2010, përkrah vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen, Këshilli i BE-së miratoi dhe të ashtuquajturin Mekanizëm Mbikëqyrës pas heqjes së vizave me rajonin, i cili i referohej Traktatit të Lisbonës mbi mundësinë e vendosjes së vizave në rast abuzimi nga qytetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA