Disa qese për një top, një pllakë e thyer për lojën me peta, disa shkopa dhe një copë për një kukull lecke që të luajmë shtëpiash.

Zërat fëminorë dhe tek-tuk ndonjë zhurmë xhami që thyhej nga pëplasja e topit, dikur krijonin një atmosferë të zhurmshme, por të gëzueshme.

Landi, një nga djemtë më sportivë në fëmijërinë e tij, rikujton me nostalgji lojrat që luanin në  kohën kur gjithçka dukej bardh e zi.

“Dikur luanim lojra të ndryshme, duke filluar nga futbolli që ka qenë dhe vazhdon të mbetet sporti më i preferuar për djemtë. Topa-gropa, topa-djegësi, hapa-dollapa apo kaladibranshe kanë qenë disa nga lojrat që kemi luajtur kur kemi qenë fëmijë”, tregon Landi.

Mes një babai dhe një djali ka një lidhje që reziston në kohë e sidomos kur përkushtimi i prindërve është maksimal.
 
Megjithëse është ende i vogël dhe shkon rregullisht në kopësht, me fjalët e paplota të një 3-vjeçari, Dioni na tregon se i pëlqen shumë të rrijë me motrën dhe shoqen e tyre. Në  fundjavë prindërit e çojnë në këndet e lojrave apo edhe për një piknik në natyrë. Por, si një njeri që këmbëngul për dëshirat e veta ai thotë: “Mua më pëlqen këndi i lojrave, por dua të luaj edhe në  kompjuter.”

Sot, në lagjet kryesore të Tiranës sheh vetëm lokale, trafik dhe njerëz që nuk respektojnë  semaforin. Por, ku janë fëmijët?

“Mua më pëlqen të luaj me kukullat e mia, por do të doja të luaja edhe me fëmijët e tjerë përpara pallatit”, thotë vogëlushja Alkea.

Lori dhe Alkea janë nënë e bijë. Edhe pse secila në fëmijërinë e tyre është argëtuar në mënyrë tërësisht të ndryshme ato kanë ndërtuar me shumë kujdes një marrëdhënie shoqërore me njëra-tjetrën aq sa ndonjëherë nuk ngurojnë të luajnë së bashku.

“Nuk mund ta lë fëmijën të luajë e sigurt jashtë sepse mungojnë sheshet. Kam gjetur një zgjidhje duke mbajtur vajzën bashkë me shoqet e veta pas mësimit në parukerinë ku punoj”, thotë nëna e Alkeas, Lori.

Euforia e një fëmije për të luajtur dhe për ta jetuar jetën ashtu siç dinë vetëm ata, pa pasur probleme dhe shpeshherë duke refuzuar për të mësuar, i bën të veçantë dhe krejt të pafajshëm në veprimet dhe fjalët e tyre.

Kujdesin për të mos e tepruar me lojrat që mund të sjellin pasoja të parikuperueshme tek fëmijët e tyre na e paraqet, nëna e dy vogëlushëve: Kleas dhe Dionit.

“Mundohemi që t´i kufizojmë pak në lojërat me kompjuter sepse nuk mund të kontrolloj mënyrën se si përdoret ai. Kompjuteri i ndihmon fëmijët në zhvillimin e tyre aq sa dhe i pengon. Kur është kohë e mirë mundohemi t’i nxjerrim në ajër të pastër që të argëtohen”, përfundon Lori.

Top Channel