Në “Galeri” këtë të diel, me Ed Manushin, i ftuar ishte këngëtari i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Gjergj Jorgaqi.
Ai ka rrëfyer hapat e tij në karrierë dhe kulmin që pati në muzikë.
Këngëtari u ndal edhe te një kujtim i veçantë, kur u nda nga grupi dhe nisi të këndonte solo, duke treguar sesi publiku e “mbështolli” në skenë dhe nuk e linte të largohej pa e kënduar disa herë këngën e tij.
“Kemi qenë në ’95 në Tropojë. Duke qenë se shumë gjëra i bëj vetë, lashë grupet dhe dola më vete. Ka qenë një koncert që organizohej nga ‘Vizion 2000’. Kemi qenë në Tropojë, te Pallati i Kulturës, dhe ishim rreth 15 këngëtarë. Unë isha i treti nga fundi.
Këndova këngën ‘Ti qave’, një baladë e bukur, dhe ngaqë kisha dalë gjithmonë me grupe, mua nuk më njihte njeri me emër. Më prezantuan si Gjergj Jorgaqi dhe nuk pipëtiu njeri… salla ishte plot.
Në momentin që nisa të këndoj këngën ‘Në këtë natë’, nuk e di… vetëm pashë xhamat duke u thyer. U ça edhe dera dhe u futën njerëzit. U bë një rrëmujë e madhe aty para, sa desh më shqyen.
Ishte një sukses aq i madh, sa nuk kam mundur të largohem nga skena për të paktën gjysmë ore, ndërsa më kërkonin ta këndoja sërish këngën. Nuk ma merrte kurrë mendja për atë sukses”, tha ai.
Top Channel