Rrethi Katror/ “Shqipja mund të ketë qenë siç është anglishtja sot”, deklarata e Alfred Cakos: Duan ta zhdukin si gjuhë sepse…

24/05/2026 21:27

Në puntatën e fundit të “Rrethi Katror” në “E Diell”, Alfred Cako u ndal te gjuha shqipe, pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e saj.

Ai tregoi raste nga historia, ku shumë pushtues janë munduar ta zhdukin si gjuhë, duke ngritur teorinë që sipas tij, gjuha shqipe ka qenë gjuhë ndërkombëtare si anglishtja dhe se shumë janë munduar ta zhdukin në mënyrë që të zhdukin çdo lidhje me epokën e gjeneratës së katërt.

“Është e çuditshme. Ka një armiqësi të madhe kundër gjuhës shqipe në të gjitha epokat, nga të gjithë këta njerëzit e shquar. Dhe kjo ka një mister të madh. Odoaceri, pushtuesi i madh në vitin 467 që mundi perandorin e fundit Romulus Augustulus, një nga kërkesat që iu ka bërë në Romë, ishte të zhdukeshin ilirët dhe gjuha e Ilirëve nga administrata e Romës. E dyta, në 1453, përsëri Mehmet Fatihu, pushtuesi i madh i Bizantit, një nga kërkesat që ka pasur që në ditën e tretë të pushtimit, me drejtuesit e vjetër të administratës së Bizantit, një nga kërkesat e tij kanë qenë të zhdukeshin arbëreshët nga Bizanti dhe nuk donte të dëgjonte gjuhën shqipe. E njëjta gjë ka ndodhur me Shën Kozmain, i cili kur vinte në emër të Kishës Ortodokse për të kthyer dhe për të konvertuar sa më shumë popullata nga zona e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, deri sa e vranë, i prenë kokën banorët, ai kërkonte që popullatat e ortodoksëve të mos flisnin shqip, por më së shumti greqisht ose turqisht. Ai thoshte gjithmonë që gjuha shqipe ishte e mallkuar.

Ka një mister të madh, për të cilin unë nuk jam i bindur plotësisht. Unë dyshoj që gjuha shqipe, përpara përmbytjes së madhe, mund të ketë qenë siç është anglishtja sot. Mund të ketë qenë një gjuhë ndërkombëtare në atë botën e vjetër, në gjeneratën e katërt. E kam këtë dyshim. Dhe për të zhdukur çdo lidhje me atë epokë, këta duan me çdo kusht që të zhdukin gjuhën shqipe, e cila sot po mbahet nga populli shqiptar në Ballkan, por dhe kudo në botë”, u shpreh Cako.

Top Channel