Tiranë, vijon rindërtimi i sheshit

24/02/2011 16:10

Së shpejti përfundojnë punimet që po kryhen për sistemimin e infrastrukturës nën tokë në sheshin Skënderbej, ku përfshihen të gjithë tubacionet e ujësjellës-kanalizimeve, kabllot elektrikë, ato të Albtelekomit, internetit e të tjera.

“Kemi mbyllur kanalizimet e ujërave dhe para muzeut kemi shtuar një tubacion 400 metra për ujërat e bardha dhe 400 për ujërat e zeza. Jemi duke punuar në pesë pika, pjesa e minidhomës teknike që do bëhet intersektimi i katër galerive të reja të infrastrukturës”, ka deklaruar Dritan Agolli, administrator i përgjithshëm.

Me përfundimin e tërë rindërtimit nuk do të bëhen më carje të asfaltit për cfarëdo lloj ndërhyrjeje në infrastrukturë, si për nevojat e biznesit apo dhe për ato publike. Por për të sistemuar galeritë e infrastrukturës nën tokë janë hasur disa vështirësi.

“Ajo që e bën të vështirë është se rrjetet e vjetra kanë një mori kabllosh të telekomit, elektrikut dhe ujësjellësit, që në shumicën e tyre nuk janë të azhornuara saktë dhe galeritë ekzistuese na dolën në një pozicion tjetër, që na ka detyruar në rishikimin e projektit”, ka saktësuar Agolli.

Dhoma teknike, e cila ka një thellësi prej nëntë metrash, do të sistemojë të gjitha tubacionet e ujësjellësit, por edhe ujërat e shiut të cilat do të shfrytëzohen më pas për shatërvanet janë parashikuar në sheshin Skëndërbej. Në infratsrukturë mësohet se nuk ishte ndërhyrë që në kohën e ndërtimit të tyre nga italianët.

“Po kryejmë punimet për segmentin nga rruga Myslym Shyri, që do të bashkohet me bashkinë. Kanë përfunduar punimet pranë Ministrisë së Brendshme dhe po shkojmë drejt asaj të Transporteve”, ka shtuar Agolli.

Menjëherë pas kësaj faze nisin punimet e fazës së dytë, e cila përvec shtrimit me pllaka do të ketë të bëjë edhe me punë artistike për të realizuar projektin që e shndërron sheshin Skëndërbej tërësisht në funksion të këmbësorëve.

Top Channel