Kuvendi miraton ndryshimin e rregullores

24/02/2011 20:45

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës ndryshimin e rregullores së Parlamentit.

Me 73 vota pro, dhe asnjë kundër e abstenim për shkak të braktisjes së sallës nga opozita, deputetët demokratë kanë miratuar fillimisht në parim e pastaj nen për nen dhe në tërësi parimin për ndryshimin e rregullores.

Menjëherë më pas mazhoranca ka miratuar me të njëjtat forma votimi dhe me të njëjtin kuorum votash edhe projektligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe lejimin e ndjekjes së tyre penale nga prokuroria.

Seanca parlamentare, e cila nisi që paraditen e sotme, u shoqërua nga debate dhe akuza të ndërsjella nga mazhoranca dhe opozita. Kjo e fundit refuzoi të votonte parimin për ndryshimin e rregullores dhe kufizimin e imunitetit, pasi sipas saj është vetëm një lojë e qeverisë për t’u mbrojtur nga korrupsioni.

Ndërsa mazhoranca, nga ana e saj akuzoi opozitën se me refuzimin e saj po mbron kryetarin e PS, Edi Rama, i cili sipas PD është përfshirë në afera korruptive përmes postit të kryetarit të bashkisë, përmes lejeve të ndërtimit. 

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij hodhi një seri akuzash ndaj deputetëve të PS, të cilët sipas tij nën udhëheqjen e Edi Ramës kanë monopolizuar hapësirat e ndërtimit.

Kjo, sipas kryeministrit, është një nga arsyet përse Partia Socialiste nuk do ta votonte nismën e saj për kufizimin e imunitetit.

“Kupola juaj ka 1 milion metër katrorë ndërtime. SHPK-ja socialiste nuk mund të dalë kundër vetëvetes. Vetëm Fidel Ylli ka 87 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, sepse Besnik Sula, që bleu truallin në mes të Tiranës me 100 euro ka 82 mijë metër katrorë ndërtimi, sepse Dashi bashkë me Ilir Matën kanë 42 mijë metër katrorë ndërtimi, sepse Sadri Abazi ka 73 mijë, Arian Leska 61 mijë, Dundullaku 145 mijë, etj. Pastaj, është kryetari që blen shaganin 230 mijë euro dhe bastunin 12 mijë euro dhe thotë që jeton me 3 mijë euro. Këto s’janë gjë sepse është 20 për qindëshi që shkon në 100 milionë euro. Ju s’votoni dot sot pasi dy kompani morën 70 për qind të lejeve të ndërtimit”, deklaroi Berisha.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci iu përgjigj akuzave të kryeministrit, duke e bërë atë përgjegjës për një seri tragjedish të ndodhura në vend, për të cilat ai nuk ka dhënë dorëheqjen.

“Sali Mubaraku, t’i ki kurajo, jep dorëheqje dhe nënshtroju hetimit për vrasjet e 21 janarit. Ty të bën apel nëna ligjore e Fatmir Xhindit që po dergjet në var prej dy vjetësh për shkak të pushtetit tënd, po bëjnë apel familjarët e 26 viktimave të Gërdecit, nëna e Hekuranit, fëmijët e Faikut e Ziverit që i vrave me pushtetin tënd”, deklaroi Ruci.

“Prandaj, ti ke detyrimin të përgjigjesh duke dhënë dorëheqjen nga qeverisja. T’i i ke duart të zhytura në llumin e korrupsionit, si ke guximin dhe flet para popullit shqiptar”, u shpreh ai.

Ndërsa më herët, deputetët, përfshirë ata të Partisë Socialiste, miratuan me 119 vota pro dhe 3 kundër heqjen e imunitetit të deputetit Dritan Prifti, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme e cila ka hapur një çështje ndaj tij për korrupsion. 

Top Channel