Kriza, Rama i përgjigjet Topit

24/02/2011 19:40

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i është përgjigjur zyrtarisht letrës së presidentit të Republikës Bamir Topi, në qendër të së cilës bie në sy kërkesa për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit prej së cilës mbetën të vrarë katër persona. (UPDATE)

Duke bërë përgjegjëse qeverinë dhe vecanërisht kryeministrtrin Berisha për krizën politike, kryesocialisti thekson se ajo është e shkaktuar në radhë të parë për shkak të kapjes, sipas tij, të shtetit nga korrupsioni në cdo nivel të tij.

Zoti Rama lë qartazi të kuptohet në letër faktin se vendi ka nevojë të zhvillojë një procesë të ri zgjedhor të parakohshëm.

“Shqipëria nuk mund të detyrohet ta kalojë 21 Janarin si përmbytjen e radhës, si skandalin korruptiv të radhës, si rritjen statistikore të radhës në numrin e të vrarëve për shkak të keqqeverisjes. Asnjë shqiptar i vetëm, jo më një opozitë e tërë, e bashkuar prej thuajse dy vjetësh nga e majta në të djathtë për të mbrojtur demokracinë, institucionet, njerëzit, nga pasojat e kapjes së shtetit e të nivelit marramendës të korrupsionit, nuk mund ta kalojë atë shpërthim vrastar të dhunës shtetërore pa pasur të drejtën e gjykimit të qeverisë me votë. Dhe jo me votën e zgjedhjeve të radhës, përkatësisht atyre vendore, po me një votë që duhet ta gjykojë drejtëpërdrejt këtë qeveri, jo për kanalizimet apo punët komunale, po për keqqeverisjen e degraduar në një korrupsion të pandalshëm, deri në vrasjen e plagosjen me paramendim të qytetarëve me armë zjarri”, deklaron Rama.

Kryesocialisti thekson se bojkoti i zgjedhjeve nuk ka qenë në asnjë moment opsion i opozitës, por thjesht një abuzim i mazhorancës dhe kryeministrit Berisha.

“Por pas 21 Janarit ne jemi të bindur se, në kushtet e sotme, zgjedhjet thjesht nuk mund të bëhen në rast se vërtet duam që ato të jenë një garë e lirë dhe e ndershme, jo një farsë edhe më e pagëlltitshme që do nxisë precipitimin e mëtejshëm të krizës. Sigurisht që këto kushte mund të ndryshojnë. Këto kushte duhet të ndryshojnë. E për sa na takon, ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithcka mundemi që ato të ndryshojnë, padyshim me ndihmën e pazëvendësueshme të miqve e partnerëve të Shqipërisë. Në këtë kontekst, ne besojmë se angazhimi së fundmi i komunitetit ndërkombëtar përmes misionit të zotit Lajcak është një shans i mirë, të cilin palët nuk duhet ta humbasin bashkë me kohën që ikën”, shprehet Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste thekson në përfundim të letrës se opozita nuk do të heqë dorë nga demonstratat paqësore të cilat kanë për synim, sic thotë ai, largimin e qeverisë dhe realizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Siguroj se forca politike që kam nderin të udhëheq në këto ditë të vështira për vendin do të vazhdojë të tregojë ndjenjë të lartë përgjegjësie në mbrojtje të lirive e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, në mbrojtje të institucioneve të pavarura, në mbrojtje të projektit të Shqipërisë europiane. Ashtu sic Ju siguroj se pa bërë asnjë hap mbrapa në kërkesën tonë legjitime e aksionin opozitar të demonstratave paqësore për largimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme, ne jemi gati të hedhim cdo hap të mundshëm përpara për të garantuar votën e cdo shqiptari në zgjedhjet e ardhshme vendore”, nënvizon më tej Rama.

Top Channel