Kosovrasti: PS keqpërdor rolin në KQZ

24/02/2011 21:40

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, deklaroi në “Top Story”, se pretendimet e Partisë Socialiste rreth punës së njëanshme të Komisionit Qëndror Zgjedhor, janë një abuzim me të vërtetën.

Sipas tij, kjo është një politikë e përdorur prej selisë rozë, për të mos pranuar humbjen në zgjedhje, ndërsa mbrojti punën e KQZ-së, si të ekuilibruar dhe të paanshme.

”Sa herë që ka fushatë, Partia Socialiste gjen dikë për të goditur dhe kjo është KQZ-ja. Unë, realisht nuk besoj se ata që thonë se fajtor është KQZ-ja, e besojnë me të vërtetë këtë. Është e qartë që nuk është e vërtetë”, deklaroi Kosovrasti, duke folur për emisionin e Sokol Ballës.

”KQZ është një organ i rëndësishëm, por nuk është i vetmi që monitoron zgjedhjet dhe as nuk mund të kontrollohet nga një parti. Nga shtatë antarët që drejtojnë KQZ-në, katër i përkasin pozitës, por për vendimet e rëndësishme, duhen të paktën pesë vota.

Pastaj, janë edhe dy nivele të tjera komisionesh. Në Komisionet Zonale, të cilat janë 66, Partia Demokratike dhe Socialiste kryesojnë secila në 33 prej tyre, ndërsa raporti është gjithmonë 4 me 3.

E njëjta gjë vlen edhe për mbi 4 mijë qendrat e votimit. Në fund, është Kolegji Zgjedhor ai që vendos fatet përfundimtare të zgjedhjeve”.

Sipas Kosovrastit, Partia Demokratike është detyruar të bëjë lëshime të rëndësishme, për të bërë të mundur funksionimin e rregullt të Komisionit.

”Duke qenë se socialistët, shpesh herë kanë tentuar të keqpërdorin statusin që i jep ligji, për nevojën e një shumice të cilësuar në KQZ, jemi detyruar të pranojmë shpesh propozimet e tyre dhe të bashkojmë votat tona për propozimet e socialistëve.

Këtë e kemi bërë vetëm me vullnetin e mirë që të bëjmë që puna e Komisionit Qëndror Zgjedhor të zhvillohej në një mënyrë normale”.

Në një replikë ndaj Zotit Subashi, Kosovrasti shtoi: “Duhet të bëhet një dallim midis mungesës së besimit tek zgjedhjet dhe manipulimit. Nëse zgjedhjet janë manipuluar, atëherë është e qartë që duhen hetuar dhe përgjegjësit duhet të ndëshkohen.

Por, nëse pala që ka humbur, supozon se ato janë manipuluar, kjo është një çështje tjetër pastaj. Manipulimi dhe supozimi i një pale se ka ndodhur manipulim nuk është e njëjta gjë”.

Top Channel