Imuniteti, Berisha: Vendimi më i rëndësishëm në 20 vite

24/02/2011 12:20

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ndryshimi i rregullores së Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetëve, është një ndër vendimet më të rëndësishme të historisë së parlamentit.

Kreu i qeverisë u ka kërkuar deputetëve të opozitës që të sjellin amendimin e nenit të Kushtetutës që parashikon këtë proçedurë.

“Për këtë Parlament është një nga vendimet më të rëndësishme në 20 vitet e fundit. Nëse do ishte bërë me kohë nuk do ishin ndërtuar pallatet që ia kanë zënë frymën Pogradecit, nuk do ishte shndërruar partia jote në një SHPK, nuk do të mund të ndodhte kurrë që këtu të uleshin përfaqësues kryesorë të klaneve të drogës. Unë prisja që ju ta mbështesnit këtë vendim, të paktën për të dëshmuar se jeni të gatshëm për t’u shkëputur nga një e shkuar. Por me atë që pamë në 21 janar ju e keni të vështirë të dilni nga ajo guackë që keni ruajtur dhe mbrojtur”, tha Berisha.

“Do ishit të besueshëm nëse do kishit sjellë për amendim nenin e Kushtetutës dhe oferta është ende e hapur”, theksoi kryeministri.

Top Channel