Gjoncaj: KQZ, palë me qeverinë

24/02/2011 21:45

Përfaqësuesi i PS në KQZ, Genc Gjoncaj ka bërë përgjegjës lidershipin e komisionit për dështimin sipas tij të procesit zgjedhor të 28 qershorit.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Gjoncaj ka akuzuar kryetarin e KQZ-së se nuk ka respektuar Kodin Zgjedhor dhe se u bë palë me partinë në pushtet.

“Kodi që kemi ne sot përcakton disa rregulla dhe nëse këto rregulla do zbatoheshin në mënyrë korrekte nuk do ishim para kësaj situate. Ky kod nuk respektohet kur arbitri që duhet të respektojë kodin nuk qëndron më arbitër por bëhet palë. Dhe ky është problemi i vërtetë”, ka deklaruar Gjoncaj.

Sipas tij, këtë pozicionim të kreut të KQZ-së e fakton votimi pa shumicë të cilësuar që u krye në këtë institucion pak kohë më parë.

“Procesi nuk gjeti trajtimin e duhur ligjor, prandaj unë insistoj se procesi i vitit 2009 u prish për shkak të KQZ-së, që u bë palë e partisë në pushtet, gjë që reflektohet me vendimmarrjen 4-3. Është përdorur kartoni, asnjëherë s’ka ndodhur kështu”, ka shtuar Gjoncaj.

Top Channel