Tatimet çojnë në prokurori 39 biznese

23/02/2011 08:00

Administrata tatimore çon për ndjekje penale 39 subjekte me akuzën e mospagimit të taksave dhe fshehjes së të ardhurave. Pas hetimeve të kryera dhe verifikimeve në terren, grupet e Task Forcës, të urdhëruara nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, kanë konstatuar raste të evazionit fiskal, në shumat e 200 milionë lekëve.

Subjektet private akuzohen për fshehje të ardhurash, mospagim të taksave, punësim të paligjshëm dhe falsifikim të letrave me vlerë. Rastet i referohen aksioneve të kryera në muajin shkurt, nga njësia e Task Forcës.

“Për të gjitha rastet e referuara kanë filluar procedimet penale nga prokuroritë përkatëse dhe janë nën hetim”, bëjnë të ditur burime pranë sektorit në Tatime. Shkeljet më të mëdha janë konstatuar për fshehjen e të ardhurave, në masën e rreth 144 milionë lekëve, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Për këtë arsye kanë shkuar në prokurori 17 biznese, dosjet e të cilëve po plotësohen për t’i çuar në gjykatë.

Veprat e tjera, si mospagimi i taksave, parashikohen në nenin 181 të Kodit Penal dhe prek dosjet e 14 bizneseve, për shumën e rreth 38 milionë lekëve.

Referuar raporteve nga Drejtoria e Tatimeve si dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, borxhi tatimor ndër vite ka ardhur në rritje të konsiderueshme. Shifra e fundit paraqet një nivel borxhi prej të paktën 400 milionë dollarësh, për të cilën KLSH ka kërkuar marrjen e masave, ku si zgjidhje propozon ndërmarrjen e një amnistie fiskale.

Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar së fundmi listën e subjekteve private debitore ndaj shtetit. Janë gjithsej 1973 biznese, emrat e të cilëve janë hedhur në faqen e tatimeve, ku përveç subjektit dhe NIPT-it është vendosur edhe administratori i firmës, së bashku me datën e publikimit të detyrimit. Publikimi i emrave për subjektet që kanë detyrime në tatime ka shkaktuar disa herë debate mes vetë firmave, pasi e konsiderojnë shkelje të privatësisë dhe goditje të interesave për planet e biznesit, por administrata e ka argumentuar nxjerrjen e identitetit si detyrim që rrjedh nga ligji “Për procedurat tatimore”, duke tentuar të sensbiliozojë subjektet që të paguajnë taksat.

Sa i takon Kodit Penal dhe neneve që prek bizneset e kallëzuara në prokurori, dënimet nisin me gjoba dhe përfundojnë me burgime deri në tre vjet. Kështu, në nenin 180, “Fshehja e të ardhurave”, thuhet se, fshehja apo tregimi i rremë i të ardhurave ose i objekteve që i nënshtrohen tatimeve dhe taksave, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Kurse neni 181 përcakton se, mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Dënime janë parashikuar edhe për punonjësit e administratës, në rastin konkret për tatimet.

Sërish te neni 181, pika e parë, tregon se, moskryerja e detyrave që lidhen me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve nga punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë që janë ngarkuar me këto detyra, kur bëhet për fajin e tyre dhe i sjell shtetit dëm në vlerë më të vogël se 1 milion lekë, dënohet me gjobë deri në 2 milionë lekë; kur vlera është më e lartë se 1 milion lekë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim.

Top Channel