Berisha: Shëndetësia me koncension

23/02/2011 11:45

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi një plan të qeverisë për të dhënë me koncesion disa shërbime jetike për qytetarët, me qëllim jo vetëm përmirësimin e cilësisë së shërbimit, por edhe nxjerrjen jashtë praktikave korruptive në këto shërbime.

Një nga këta sektorë që do t’i ofrohet për menaxhim sektorit privat janë ambulancat, ku merret shërbimi i parë shëndetësor.

“Kjo nuk do të thotë se qytetarët do të rëndohen. Jo. Buxheti i shtetit do të përballojë të gjtiha shërbimet e qytetarëve të siguruar. Buxheti i shtetit do të mbulojë ata që nuk kanë mundësi financiare të sigurohen, por në rast se ecim dhe duhet të ecim drejt një shërbimi të ofruar nga sektori privat. Ne rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e këtij shërbimi, ne shmangim cdi lloj rryshfeti apo korrupsioni”, deklaroi Berisha.

Një sektor tjetër që do të përfshihet në dhënien me koncesion është kontrolli i cilësisë së karburanteve, ku sic tha kryeministri duhet të përzgjidhet një kompani serioze.

“Sepse paralel me këtë shërbim një kompani tjetër po kontraktohet për të bërë shënimin e naftës. Nafta e shënuar do të jetë ajo që përmbush parametrat e tregut”, tha Berisha.


Kritere të reja për emërimin e gjykatësve

Në luftën kundër korrupsionit, kryeministri përfshiu edhe kriteret që Ministria e Drejtësisë duhet të hartojë me ekspertë të Bashkimit Europian për standarte transparente në emërimin, transferimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, ku thuhet se ky proces është jo transparent, me procedurë të dyshimtë dhe për të cilin merret rryshfet, kryeministri Berisha u tregua kritik edhe me qëndrimin ndaj kufizimit të imunitetit për gjyqtarët, të drejtuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që kryesohet nga presidenti Bamir Topi.

Sipas kryeministrit Berisha, ata nuk kanë pranuar propozimin e ministrit të Drejtësisë që konferenca gjyqësore të propozojë kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve, por si zgjidhje kanë propozuar ndryshime ligjore, që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament.

“Të bësh një propozim të tillë pas bllokimit të ligjit për Gjykatën Administrative do të thotë të lash duart me një proces që është i një rëndësie kapitale”, theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha shikon të dyshimtë edhe propozimin e socialistëve për një reformë tjetër kushtetuese, ku, sic tha opozita, ndër të tjera të parashikonte kufizimin e imunitetit në Kushtetutë për deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët.

Socialistët nuk kanë thënë se cilat janë ndryshimet e tjera kushtetuese, por kryeministri Berisha, duke e refuzuar këtë propozim, e lidhi atë në mënyrë indirekte me interesin e aktorëve të 21 janarit, ku ai përfshin edhe presidentin Topi.

“Natyrisht, nuk e kanë me seriozitet sepse pas këtij propozimi fshihen disa të tjera të lidhura me datën 21 janar, para dhe pas saj, të cilat janë të pashpresë, të cilat nuk do të mund të ndodhin ndonjëherë”, u shpreh Berisha.

Top Channel