Arvizu: Zgjedhjet, rëndësi për të ardhmen

23/02/2011 10:50

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ka deklaruar se zgjedhjet e 8 majit janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe për këtë SHBA-të kanë vendosur të japin fonde për mbajtjen e tyre.

Ai ka deklaruar gjatë një dalje për mediat në selinë e ambasadës, se vota e gjithësecilit ka vlerë dhe të gjithë duhet të kenë të drejtën që të marrin pjesë në zgjedhje.

Ai u ka kërkuar vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve që të bëjnë më të mirën e tyre, në mënyrë që këto zgjedhjeve të jenë të besueshme.

“Këto zgjedhje vendore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ne presim që të shohim konkurrencë dhe një fushatë të besueshme. Zhvillimi i fushatës është pjesë e sistemit demokratik dhe ato janë të nevojshme. Qytetarët duhet të dëgjojnë atë që thonë politikanët dhe të marrin vendimet e tyre”, deklaroi Arvizu.

“Çdo person ka një votë për të dhënë. Nëse ju quheni Sali Berisha keni një votë, Edi Rama një votë, Ina Rama një votë… Çdokush ka një votë dhe çdo votë ka vlerë ashtu si edhe të gjithë të tjerëve që Shqipëria të ecë përpara. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe ja pse SHBA-të kanë vendosur të japin fonde për to”, theksoi diplomati amerikan.
 
“Vëzhgimi i zgjedhjeve është pjesë kryesore e ditës së zgjedhjeve dhe ndihmon që të ketë zgjedhje të besueshme. Të nderuar vëzhgues duhet ta merrni punën me seriozitet. Puna juaj do të jetë shumë e rëndësishme për suksesin e këtyre zgjedhjeve dhe do të përcaktojë të ardhmen e këtij vendi”, tha Arvizu.

Top Channel