Berisha: Koncerti, fillim i fushatës

21/02/2011 13:35

Kryeministri Sali Berisha, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, e ka konsideruar si një fillim fushate koncertin-miting të zhvilluar dje me rastin e 20 vjetorit të rënies së bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

“Kjo ngjarje meritonte festimin e djeshëm dhe është në kënaqësinë tonë më të madhe që qytetarët e Shqipërisë iu përgjigjen kësaj ngjarjeje. Tirana pas zjarrit të bashibuzukëve, mercenarëve, kishte nevojë të paraqiste veten e saj në një manifetsim kaq madhëshor. Dje qytetarët e Tiranës dolën për t’ia kthyer siç meritojnë ata të cilët më 21 janar me banda të organizuara sulmuan për pesë orë një qeveri legjitime për ta përmbysur atë”, tha Berisha.

“Shprehim mirënjohjen më të thellë dhe ta konsiderojmë këtë, si fillimin e fushatës elektorale ‘de facto’, ‘de jure’ do të jetë më 22 mars. Kjo ishte dhe festa më e bukur e një fushate elektorale të qytetruar. Një fushate elektorale ndër më të bukurat që shqiptarët kanë njohur. Mendoj se tek koncerti i djeshëm ne kemi modelin e fushatës së ardhshme”, theksoi Berisha.

Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje deputetëve demokratë, që të nisin punën për përcaktimin e kandidatëve të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

“Duhet të finalizojmë brenda shkurtit përzgjedhjen e kandidatëve në mënyrë që të fillohet nga puna sa më shpejt. Kemi një situatë të shkëlqyer dhe shkojmë në këto zgjedhje me një bilanc të paprecedent, shkojmë me arritje shumë të mëdha”, tha Berisha.

“8 maji do të jetë një verdikt i paapelueshëm. Qytetarët e Tiranës do të shembin shtatoren e zezë të korrupsionit të ngritur në qendrën e këtij qyteti, ndaj dhe duhet të bëjmë një punë intensive në këtë fushatë, ministri Basha i cili po merret me degën e PD-së, bashkë me zotin Bumçi. Kur është shndërruar në një shtatore të zezë të korrupsionit, ne duhet ta zgjidhim këtë në mënyrën më demokratike në datën 8 maj”, theksoi Berisha.

Top Channel