Berisha: 20 Shkurti mos të harrohet kurrë

20/02/2011 13:15

Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokratike, gjatë fjalimit të mbajtur në koncertin-miting mesditën e sotme, e cilësoi 20 Shkurtin si “ditën e përmbysjes së regjimit komunist dhe si ditën e kujtesës së martirëve të atij regjimi”.

“Jemi mbledhur sot të festojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme. 20 vjet më parë, studentët do të ngujoheshin në grevë urie për heqjen e regjimit të Enver Hoxhës që solli skllavëri dhe vdekje. Për mijëra qytetarët që përmbysën diktaturën shkon nderimi më i madh”, u shpreh Berisha.

“Sot në Shqipëri janë miliona të ri fatlumë që nuk kanë njohur skllavërinë e diktaturës dhe bllokmenëve. Ky komb është fatlum me gjeneratën e tyre të lirisë. Ju bëj thirrje që këtë ditë shqiptarët ta nderojnë përgjithmonë dhe mos të harrojnë torturat, ekzekutimet, persekutimet dhe mizorinë e atij regjimi. 20 Shkurti të jetë dita e kujtesës së viktimave komunistë”, shtoi kreu i Partisë Demokratike.

Më pas, Berisha theksoi se: “Këto 20 vite nuk kanë qenë të lehta. Diktatura e shkatërroi Shqipërinë më shumë se çdo luftë, epidemi dhe fatkeqësi tjetër. Ishim nga kombet më të varfër dhe të mjerë në Europë. Ndërsa në 20 vitet e fundit kemi ecur më shpejt se çdo komb tjetër në rrugën e lirisë. Ko është kryevepra e jetës sonë.”

Më pas, Berisha sulmoi sërish opozitën: “20 vite pas përmbytjes së etërve të tyre, më 21 janar të vitit 2011, bijtë e bllokmenëve rrethuan me gurë, zjarr dhe eksplozivë Kryeministrinë. Pushtetin me dhunë nuk do ta marrin kurrë bijtë e etërve të tyre”.

“Bllokmenët e rinj po etiketojnë qeverinë e shqiptarëve si qeveri fashiste që duhet përmbysur. Më 21 janar e provuan dhe kuptuan se qeveria legjitime e një vendi anëtar të NATO-s nuk përmbyset me dhunë”, shtoi më tej kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Sali Berisha u shpreh: “Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të ndërtojmë së bashku Shqipërinë europiane si shtëpinë tonë dhe të fëmijëve tanë. Ne që përmbysëm bllokun dhe ndërtuam sistemin e demokracisë kemi si forcë të vetme besimin tek Zoti, njëri-tjetri, tek Shqipëria dhe liria.”

Top Channel