PS: Berisha të dëgjojë popullin

19/02/2011 15:30

Socialistët kanë kërkuar largimin e kryeministrit Berisha si një kërkesë që, sipas tyre, vjen nga populli dhe jo thjesht nga opozita.

“Sali Berisha bën mirë ta dëgjojë një herë të vetme në karrierën e tij zërin e popullit e të kuptojë se pushteti nuk mbahet as duke vjedhur vota e pasuri e as duke vrarë popullin që ngre zërin e proteston kundër korrupsionit, varfërisë, papunësisë e pamundësisë. Nëse ka sy për të parë e veshë për të dëgjuar, Saliu duhet ta kuptojë se demonstrata e djeshme dhe të gjitha demonstratat që do të pasojnë përditë e përjavë, nuk janë protesta të Partisë Socialiste, por shprehja e indinjatës se një populli të ardhmen e të cilit e ka marrë peng regjimi i kusarisë e matrapazllëkut”, tha deputetja Shegushe Ligori.

Duke kërkuar drejtësi për katër viktimat e 21 janarit, në emër të socialistëve deputeti Bare theksoi se qeverisja aktuale është kthyer në një rregjim diktatorial.

“Dëshiroj të falënderoj gjithë ata të papunë, që ndonëse në vështirësi ekonomike, sakrifikuan për të udhëtuar drejt Tiranës, me bindjen se sot më shumë se kurrë nevojitet një ndryshim i madh. Dje më shumë se kurrë, në rrugët e Tiranës marshonin të rinj e të reja, të cilët e kanë kuptuar se e ardhmja e tyre nuk mund të kalojë përmes Sali Berishës dhe që sot gjejnë tek Partia Socialiste të vetmen shpresë për të ardhmen. E mbi të gjitha, falënderimi më i sinqertë e më solidar, është për të gjithë familjarët e Aleksit, Hekuranit, Ziverit dhe Faikut, që mes dhimbjes gjetën edhe njëherë forcën për të marshuar në atë bulevard, këtë herë për të kërkuar drejtësi”, tha Bare.

Top Channel