Berisha: 20 shkurt, festa e demokracisë

19/02/2011 14:15

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka ftuar në një konferencë për shtyp qytetarët që të marrin pjesë masivisht në mitingun që do të zhvillohet nesër, që përkon me 20-vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës.

Sipas kryeministrit, rënia e këtij monumenti, që solli fundin e regjimit komunist në vendin tonë, është një ngjarje e shënuar për lirinë e shqiptarëve.

“Nesër është dita e përmbysjes së bllokut-bunker. Ju ftoj ju, të dashur qytetarë shqiptarë, të bashkohemi nesër në koncertin tonë festiv. Të festojmë dhe nderojmë kurajën, guximin mbinjerëzor të të rinjve e të rejave, burrave dhe grave, studentëve dhe studenteve të ngujuar në grevën e urisë, që 10 vjet më parë përmbysën bllokun dhe diktatorin më të egër që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre”, është shprehur Berisha.

Duke theksuar se mitingu festiv i ditës së nesërme do të jetë në nder të viktimave të regjimit komunist të udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha, kryeministri ka nënvizuar se ai duhet të shërbejë për të treguar se ndryshimet politike në vend bëhen me anë të votës dhe jo dhunës.

“Ju ftoj të bashkohemi në koncertin tonë festiv për të nderuar viktimat e ekzekutimeve pa gjyqe, të internimeve të kryer nga enver hoxha dhe bllokmenët e tij. Ftoj qytetarët që sot lëvizin të lirë të festojmë së bashku ditën e lirive dhe të drejtave tona. Të tregojmë se shteti merret me votë dhe jo me dhunë”, ka deklaruar Berisha.

“Problemet që ka Shqipëria sot zgjidhen në bazë të Kushtetutës dhe themeleve që lindën më 21 shkurt të vitit 1991. Jashtë tyre, cdo gjë tjetër është iluzive”, ka theksuar ai.

Pak përpara kësaj konference për shtyp të kryeministrit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përuroi një ekspozitë fotografike përpara godinës së Kuvendit, që përkujton pikërisht 20 shkurtin e vitit 1991.

Top Channel