Xibri: Na mohohet demokracia

18/02/2011 16:50

Kryetari i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri ka deklaruar se shqiptarëve po u mohohet demokracia nga regjimi në pushtet, duke folur në protestën e opozitës që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Ne minatorët ishim në pararojë të demonstratave dhe sot më duhet t’u kërkoj falje sepse ishim ne punonjësit e Tiranës që sollëm në pushtet Sali Berishën. Ne nuk deshëm të sjellim Saliun, por luftuam që në Shqipëri të vijë demokracia, ajo që na mohohet pikërisht nga Sali Berisha dhe korrupsioni i tij. Si diktator që është nuk rri dot pa udhëruar dordolecin që ka vënë në krye të policisë që të rrihte qytetarët e pafajshëm”, tha Xibri.

“Ky është një regjim që ka frikë nga çadrat e popullit, është një regjim që i ka hyrë lepuri në barkë, sepse i ka hyrë popullit në hakë. Sali Berisha sot e ka mbushur kupën, prandaj u bëj një premtim se do të jemi në çdo rrugë dhe shesh duke protestuar, derisa ta largojmë këtë diktator që vret shqiptarë të pafajshëm vetëm se protestojnë. Sali Berisha nuk na tremb dot më, as mua, as minatorët. Bën mirë të kuptosh se të ka ardhur fundi. Largohu se nuk mbahet pushteti duke rrahur qytetarët. Largohu Sali Berisha se populli nuk të do më”, theksoi Xibri.

Top Channel