Protesta, nisin grumbullimet e para

18/02/2011 15:15

Kanë filluar grumbullimet e para në disa zona kyçe të kryeqytetit, prej nga ku pritet të fillojë rreth orës 15:30 protesta e opozitës që si pikë qendrore do të ketë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas gazetares së Top Channel tek kryqëzimi i “Zogut të Zi”, kanë filluar të mblidhen protestuesit e parë që, përveç atyre të Tiranës, janë edhe nga disa rrethe të vendit.

Përveç “Zogut të Zi”, manifestuesit pritet të mblidhen edhe tek Pallati me Shigjeta, Stacioni i Trenit, Rruga e Elbasanit, nga ku më pas do të drejtohen për tek sheshi midis Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, për t’u nisur më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Pritet që kjo protestë të jetë e qetë, duke pasur parasysh edhe moton e deklaruar nga liderët e opozitës: “Qetësisht, por vendosmërisht”.

E veçanta e protestës së sotme, është se për herë të parë do të mbahen fjalime, ndryshe nga protestat e fundit që kanë qenë të heshtura.

Kërkesat kryesore të manifestuesve janë zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe vënia para përgjegjësisë së personave të përfshirë në vrasjen e katër personave në demonstratën e 21 janarit.

Top Channel