Përrenjas, shkrumbohen katër shtëpi

18/02/2011 10:25

Katër banesa janë djegur plotësisht mbrëmjen e djeshme në qytetin e Përrenjasit. Zjarri shpërtheu në rrethana ende të paqarta në nje bllok banesash në lagjen tek ish-parku i mallrave në këtë qytet.

Zjarri është përhapur menjëherë, duke shkrumbuar plotësisht katër banesat dhe duke dëmtuar rëndë katër të tjera ngjitur me to.

Në vendngjarje kanë shkuar dy mjete zjarrfikëse nga qyteti i Librazhdit, të cilat kanë mundur të vënë nën kontroll flakët, por nuk kanë mundur të shpëtojnë banesat dhe orenditë e familjeve që jetonin në to.

Por, fatmirësisht, ka qenë i shpejtë evakuimi i banorëve të shtepive të djegura, duke mos u dëmtuar asnjëri prej tyre. Megjithatë, ata prej mbrëmjes së djeshme janë tërësisht të pastrehë.

Ende nuk dihen motivet e zjarrit, ndërsa në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe policia, si edhe grupi hetimor për zbardhjen e shkaqeve.

Top Channel