Durrës, grabitet me armë banka

18/02/2011 10:30

Dy persona nën kërcënimin e armëve kanë grabitur një sasi parash mengjesin e sotëm në një nga bankat e qytetit të Durrësit.

Ngjarja ndodhi pranë një filiali që ndodhet pranë Poste-Telekomit dhe tregut të lirë valutor.

Personat e pamaskuar kanë hyrë në bankë si klientë të saj dhe pasi janë afruar tek arka kanë nxjerrë armët dhe nën kërcënimin e tyre kanë detyruar punonjësen t’u japë të gjithë sasinë e parave që ndodheshin brenda në kasë.

Nga të dhënat paraprake rezulton se sasia e parave të grabitura nuk ka qenë e konsiderueshme, pasi dita e punës sapo kishte filluar dhe grabitësit kanë zgjedhur një orar pa shumë lëvizje në këtë bankë.

Në vendin e ngjarjes, me të marrë njoftimin, kanë mbërritur agjentët e policisë, të cilët po punojnë për të zbuluar identitetin e grabitësve.

Gjithashtu, ata janë duke kryer veprimet e tjera për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar.

Pritet që regjistrimet video të sistemit të sigurisë së bankës të zbardhin identitetin e personave që kryen grabitjen.

Numri i vjedhjeve në rrethin e Durrësit është rritur ndjeshëm duke krijuar edhe pasiguri jo vetëm për pronën, por edhe për jetën te qytetarët.

Top Channel