“Kombësia” në Gjykatën Kushtetuese

15/02/2011 17:25

Regjistrimi i popullsisë në bazë të kombësisë ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i gjykatës së rrethit të Sarandës, Alltun Çela, pasi është njohur me një rast konkret, ka konstatuar se ligji i gjendjes civile, i cili përcakton kombësinë e qytetarëve, bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.

Në ndryshimet që pësoi ligji i gjendjes civile në 2003-shin kombësia u njoh për herë të parë si element përbërës i gjendjes civile të individit, në një kohë kur të gjitha vendet e Bashkimit Europian i regjistrojnë qytetarët e tyre në bazë të shtetësisë dhe jo kombësisë.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 19 dhe 20, nuk e parashikon nocionin kombësi si element të gjendjes civile, ose si element të personit. Kurse ligji për gjendjen civile parashikon nenin 6, 8, 42 dhe 59, elementi kombësi. Duke qenë se këto dispozita të gjendjes civile janë të papajtueshme, vendosa që të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Çela.

Në padinë që është depozituar në Gjykatën Kushtetuese thuhet se zgjedhja e ligjvënësit për të njohur kombësinë si element të gjendjes civile, në rrethanat kur më parë nuk kishte një rregullim ligjor lidhur me mënyrën e pasqyrimit të saj në aktet e gjendjes civile, bie në kundërshtim me nenin 20 të Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në këtë padi thuhet se në nenin 20 dhe 24 të Kushtetutës: “qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën kohë ata nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore dhe gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër, të vendosë një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet i tillë”.

Por ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale shprehet se ky ligj nuk ka nevojë për asnjë ndërhyrje dhe regjistrimi apo ndryshimi i kombësisë është një e drejtë e çdo qytetari.

“Zërat e shumta ndonjëherë janë edhe pengesë e kërkesave legjitime të minoriteteve, por prapë se prapë, minoritetet kanë operuar në bazë të një legjislacioni të shtetit shqiptar. Edhe ligji i gjendjes civile që u lejon të përfitojnë kombësinë, që shumica e tyre e kanë humbur para viteve 90, ligji është një hapësirë që po mbulon një të drejtë të humbur që është e drejta e kombësisë”, është shprehur Ksera.

Abuzimet me ndryshimin e kombësisë u denoncuan nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, që tha se deri më tani në gjykatat e rretheve 2 mijë qytetarë kanë bërë ndyshimin e kombësisë në Korçë, Përmet e Gjirokastër.

Spahiu ka saktësuar se do të inspektohet çdo abuzim me ndryshimin e kombësisë, pasi këto ndryshime masive cënojnë sovranitetin e kombit dhe krijojnë mundësi për regjistrim fiktiv të popullsisë.

Top Channel