Qeveria miraton rregullin e ri për pullat fiskale

10/02/2011 09:00

Mallrat e luksit do të kenë një kontroll më të fortë nga ana e autoriteteve shtetërore. Sikurse është vendosur me kohë, pullat fiskale tashmë do të prodhohen nga një kompani e vetme private, kundrejt një pagese, nga ku shteti shqiptar përfiton vetëm 2 për qind.

Projekti nuk lidhet vetëm me pullat e reja, por edhe me sigurinë që do të ofrohet për shmangien e kontrabandës.

Ministria e Financave gjykon se pulla e re fiskale ul evazionin fiskal dhe garanton më shumë të ardhura për buxhetin, kurse kompanitë private që do t’i nënshtrohen rregullit të ri anohen për kostot shtesë, pasi në fabrikat e prodhimit do të instalohen aparate enkas për kodin e ri të sigurisë.

Sipas vendimit të djeshëm, do të pajisen me pullë akcize produktet e treguara si birrë, verë, alkool, pije alkoolike dhe duhani e nënproduktet e tij, duke përjashtuar birrën e prodhuar në vend, kur kërkohet pajisja me kodin e sigurisë.

Në listën e mallrave që do t’i futen skemës se re janë edhe ilaçet, por ndryshe nga të tjerat procedurat e pullës së re fiskale do të jenë të veçanta.

Kod i sigurisë do të thotë një shenjë direkte që aplikohet ekskluzivisht për produktet e birrës që prodhohen në Shqipëri nga prodhuesit në shkallë të madhe, që prodhojnë 500 000 ose më shumë produkte birrë në vit, duke përdorur linjat e prodhimit për të cilat përpunimi i plotë, nga mbushja te paketimi, është i automatizuar dhe të cilat prodhojnë 4 000 ose më shumë produkte birrë në orë.

Kodi i sigurisë trajtohet si dokument me vlerë dhe është monopol shteti. Çmimi (duke përjashtuar TVSH-në dhe çdo taksë tjetër apo detyrim për pullat e aplikueshme, sipas ligjit në Shqipëri), për çdo pullë fiskale të prodhuar dhe të shpërndarë nga një koncesionar i autorizuar nga qeveria për të lëshuar, shpërndarë dhe monitoruar pullat fiskale, është tashmë i përcaktuar, dhe varion nga 20 deri në 33 euro për një mijë copë.

Në rastin kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve udhëzon koncesionerin të dërgojë pullat fiskale drejtpërdrejt te furnizuesi i huaj i mallrave, që janë subjekt i akcizës, në një adresë të treguar nga importuesi dhe të miratuar nga Drejtoria  e Përgjithshme e Tatimeve, importuesit do të jenë përgjegjës për transportin, gjurmimin e ngarkesës dhe dorëzimin e duhur të pullave fiskale te furnitori i huaj, për zbatimin e duhur të pullave fiskale mbi produktet, si dhe shpenzimet që lidhen me ngarkesën (duke përfshirë, por jo vetëm, shpenzimet e lidhura me trajtimin, taksat e importit, detyrimet, sigurinë dhe sigurimet etj).

Pagesa e akcizës do të kryhet veçmas nga prodhuesit dhe importuesit. Detyrimet që rrjedhin nga TVSH-ja apo taksa të tjera që janë të pagueshme lidhur me pullat fiskale, të prodhuara dhe të shpërndara nga koncesioneri, do të mbulohen nga prodhuesit apo importuesit që blejnë pullat fiskale.

Top Channel