Tajvan, arrestohet gjenerali për spiunazh

09/02/2011 15:20

Një prej ushtarakëve më të mëdhenj në Tajvan, gjeneral majori Lo Hsien-che, u arrestua sot me akuzat e spiunazhit në favor të Kinës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së ishullit, ai është rekrutuar nga Shërbimi Sekret Kinez në vitin 2004, ndërsa ishte në një detyrë zyrtare në Tajlandë.

Media tajvaneze shton se ai ka furnizuar Pekinin me detajet e programeve ushtarake të Tajvanit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por zëdhënësi i Ministrit theksoi se ka qenë e vështirë për gjeneralin që të kishte akses në këtë lloj informacioni.

Aktualisht, gjenerali Lo ishte komandanti i sistemit ushtarak të komunikimeve dhe zyrës së informacioneve.

Duke iu referuar përsëri mediave, autoritetet kanë zbuluar në shtëpinë e tij dokumente sekrete në lidhje me sistemin e mbrojtjes me vlerë një miliard dollarë, të cilin Tajvani është duke blerë nga kontraktuesi ushtarak amerikan “Lockheed Martin”.

Top Channel