Piratët marrin peng anijen italiane

08/02/2011 11:50

Piratët morrën peng një anije naftëmbajtëse italiane në Oqeanin Indian, bëri të ditur marina italiane pak më parë.

Piratët qëlluan me armë për të detyruar mjetin e quajtur Savina Caylyn të ndalonte, në një zonë rreth 500 milje nga brigjet e Indisë dhe 800 milje nga Somalia, pranë ishullit jemenas të Sokotrës.

Një zëdhënës i marinës konfirmoi se 22 persona janë marrë peng, midis të cilëve pesë me shtetësi italiane dhe 17 të tjerë indianë.

Një luftanije italiane është nisur menjëherë për në vendngjarje, por distanca nga Italia në vendngjarje është rreth 600 milje detare dhe asaj do t’i duhen disa ditë për të arritur.

Nga fotografimet satelitore mësohet se naftëmbajtësja po drejtohet drejt brigjeve të Somalisë. Piratët somalezë kanë fituar shifra kolosale nëpërmjet shpërblimeve për lirimin e pengjeve dhe mjeteve të sekuestruara.

Top Channel