Në rrezik marrëdhëniet SHBA-Pakistan

08/02/2011 10:00

Marrëdhëniet midis Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara Amerikane rrezikojnë të dëmtohen thellësisht, pas historisë së vrasjes së dy shtetasve nga një diplomat amerikan në Lahore.

”Associated Press” publikoi zërin e një “burimi të lartë shtetëror në Pakistan”, ku thuhej se aleanca ishte e dëmtuar që më parë, por këmbëngulja e amerikanëve për lirimin e diplomatit ka rritur presionin e publikut pakistanez mbi autoritetet e vendit për të prishur relatat.

”Kjo është një çështje e madhe për pakistanezët dhe amerikanët po e marrin shumë seriozisht”, deklaroi burimi. “Mesazhi që Uashingtoni ka dhënë për qeverinë tonë është shumë i qartë. Të gjithë duhet të bëjmë diçka menjëherë, ose marrëdhëniet midis dy shteteve do të dëmtohen rëndë”.

Administrata Obama kërkon lirimin e menjëhershëm të Richard Dawis, i cili vrau dy persona në një motorçikletë, pasi sipas tij po e ndiqnin për ta grabitur. Uashingtoni e konsideron të paligjshëm mbajtjen e tij në paraburgim, pasi mbrohet prej imunitetit diplomatik.

Sipas burimit, të gjitha marrëdhëniet, nga ato ushtarake, ekonomike e inteligjente mund të preken nga ky problem. SHBA dhe Pakistani konsiderohen aleatë në luftën kundër terrorizmit, por Uashingtoni ka shprehur disa herë shqetësimin për përkrahjen selektive të grupimeve të ndryshme prej pakistanezëve.

Top Channel