Hyn në fazën finale gjyqi i Taylor-it

08/02/2011 10:05

Gjyqi i ish-presidentit të Liberisë, Charles Taylor, është duke hyrë në fazën finale, pasi avokatët dhe prokurori në Gjykatën e Hagës po parashtrojnë argumentat e tyre të fundit.

Taylor akuzohet për armatosjen e grupeve rebele në Sierra Leonen fqinj, grupe që u bënë të famshme në vitet 1990 për prerjen e duarve dhe vrasjen e mijëra njerëazve.

Ai përballet me 11 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por i ka mohuar të gjitha akuzat. Gjyqi nisi në qershor 2007 dhe një verdikt pritet të merret brenda disa muajsh.

Sipas prokurorëve, presidenti i Liberisë në vitet 1997-2003, armatosi dhe kontrolloi Frontin e Bashkuar Revolucionar, që terrorizoi civilët në Sierra Leone për një dekadë.

”Krimet e ndodhura në Sierra Leone nuk do të kishin ndodhur nëse Taylor do të ishte përkushtuar në qetësimin e situatës dhe jo në armatosjen e rebelëve”, deklaroi prokurori në argumentimin e tij final.

Top Channel