Dosja Berlusconi përfundon në Gjykatë

08/02/2011 13:30

Prokurorët italianë lajmëruan në drekë se kanë grumbulluar provat e mjaftueshme për të kërkuar zyrtarisht hapjen e një procesi gjyqësor ndaj Kryeministrit Silvio Berlusconi.

Ai do të gjykohet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një vajzë minorene. Kryeprokurori i vendit, Edmondo Bruti Liberati, bëri të ditur se dosja do t’i dorëzohet të mërkurën Gjykatës së Milanos.

Gjykata është e detyruar të nisë menjëherë procedimin dhe të caktojë një datë për seancat e para dëgjimore.

Berlusconi dyshohet se ka paguar për të kryer marrëdhënie seksuale me një 17-vjeçare, ndërsa më vonë ndërhyri për ta liruar atë nga paraburgimi, në një rast që nuk ka lidhje me skandalin seksual.

Kryeministri italian rrezikon deri në tre vjet burg për akuzën e marrëdhënieve me të mitura, por mund të dënohet deri në 18 vjet, nëse Prokuroria do të kërkojë hapjen e një çështje për shfrytëzimin e detyrës shtetërore për favorizim, nëse provohet se minorenia është liruar nga policia me urdhër të tij.

Top Channel