Obama: Egjipi, s’ka kthim prapa

07/02/2011 17:15

Egjipti nuk mund të kthehet pas në gjendjen që ishte para protestave. Gjatë një interviste për Fox News të dielën, Barack Obama tha se ndryshimi në Egjipt po vjen.

Megjithatë, duke mos u shprehur hapur nëse Mubarak duhet të largohet menjëherë apo jo, ai shtoi se vetëm 82-vjecari, në pushtet që prej vitit 1981, e di nëse do ta lërë apo jo postin tani shpejt.

“Nuk ka kthim prapa për Egjiptin. Populli egjiptjan kërkon lirinë, kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, kërkon një qeveri përfaqësuese, një qeveri të përgjegjshme. Ndaj, ajo që ne mund të themi është se tranzicioni duhet të fillojë sa më parë”, deklaroi Obama.

Obama iu referua edhe grupimit kryesor të opozitës, Vëllazëria Myslimane, duke thënë se është një fraksion dhe nuk gëzon mbështetjen e shumicës.

Shefi i Shtëpisë se Bardhë nuk la pa përmendur faktin se ka disa aspekte të ideologjisë së levizjes islamike, që janë anti-amerikane.

Pas takimit me përfaqësues të qeverisë, Vllazëria deklaroi se lëshimet e bëra nga regjimi nuk ishin të mjaftueshme. Sipas BBC-së, protestuesit në rrugët e Kajros nuk janë në humor për kompromis.

Ata nuk heqin dorë nga kërkesa për largimin e menjëhershëm të Mubarak dhe shpërndarjen e atij që e quajnë “Parlamenti i mashtrimit”.

Ndërkohë, videoja amatore e vrasjes së një demonstruesi në Egjipt po bën xhiron e botës. Pamjet filmike tregojnë të riun që sfidon forcat e rendit e i afrohet dhe policët, pas disa castesh, e qëllojnë me gjakftohtësi.

Ndërkohë, Mubarak vazhdon t’i rezistojë presioneve dhe refuzon dorëheqjen me pretekstin se largimi i tij nga posti në këto momente do ta zhyste vendin në kaos.

I vetmi lëshim i tiji në këtë drejtim ka qenë zotimi për të mos kandiduar në zgjedhjet e shtatorit, as ai vetë e as i biri, Xhamal.

Top Channel