Angli, tjetër triumf i gazetarisë investigative

07/02/2011 09:30

Gazetaria investigative në Britaninë e Madhe ka shënuar suksesin e radhës, ndryshe nga Shqipëria ku gazetarët investigative anatemohen, televizionet ku ata punojnë gjobiten dhe ku drejtori i programit të emisionit “Fiks Fare” etiketohet si çakall nga kryeministri i vendit.

Pas një investigimi të gazetës ‘News of The World’, publikuar vitin e shkuar, tre prej pjesëtarëve të ekipit kombëtar të Pakistanit në kriket janë pezulluar për disa vite të jenë pjesë e këtij sporti pasi u filmuan duke shitur një ndeshje.
Një gjykatë në kryeqytetin Doha të Katarit, bazuar në provat e publikuara nga kjo gazetë, dënoi me 10 vjet për të mos luajtur kriket Salman Butt, kapitetin e skuadrës pakistaneze.

Ndërsa dy lojtarët e tjerë, Mohammad Asif dhe Mohammad Amit, u dënuan për mos të luajtur respektivisht me nga shtatë dhe pesë vjet.

Këshilli Ndërkombëtar i sportit të kriketit, i udhëhequr nga Harron Lorgat që hetoi tre sportistët, lavdëroi investigimin e gazetarit Mazher Mahmood.

“Pa ndihmën e këtij investigimi gazetaresk do të ishte e pamundur të frenonim këtë aktivitet të jashtëligjshëm në sportin e kriketit. Ne jemi shumë mirënjohës ‘News of The World’ për bashkëpunimin” ka deklaruar Harron Lorgat.

Ky investigim zbuloi atë që është cilësuar si skandali më i madh në historinë e sportit ku një bashkëpunëtor i tre lojtarëve pakistanezë u filmua duke marrë 150 mijë stërlina dhe më pas gjatë ndeshjes kundër Anglisë, lojtarët u filmuan duke humbur pikët siç edhe kishin premtuar.

Historia korruptive e tre lojtarëve pakistanezë nuk mbaron këtu. Më 17 mars ata duhet të paraqiten në një gjykatë në Londër ku do t’i komunikohen akuzat pas një hetimi të Scotland Yard bazuar në provat e mbledhura gjatë investigimit nga ‘News Of The World’.

Nëse ata do të shpallen fajtorë rrezikojnë të dënohen me nga 7 vjet burg.
 

Top Channel