Plan për të zgjidhur krizën

06/02/2011 13:00

Grupi më i fuqishëm opozitar i Egjiptit, Vëllazëria Muslimane, do të hyjë në bisedime me zyrtarët e lartë vendas, për të diskutuar fundin e krizës politike.

Bisedimet e sotme, sipas Lëvizjes Islamiste, do të vlerësojnë sesa është qeveria e gatshme të pranojë kërkesat e popullit. Këto janë të parat negocjata të mbajtura ndonjëherë mes kabinetit qeveritar në Egjipt dhe Vëllazërisë së shpallur të jashtëligjshme e që deri tani kishte refuzuar të ulej në tryezën e biseidmeve përsa kohë Mubarak vazhdon të jetë në postin e presidentit.

Po kështu, për të parën herë këtë javë edhe bankat do të çelin dyert e tyre, të shtyra nga frika se njerëzit mund të nisin të tërheqin masivisht paratë.

Pa marrë parasysh dorëheqjet në radhët e Partisë Demorkatike Kombëtare në pushtet, opozita ka vazhduar protestat kundër Mubarakut. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë me ngulm reforma të shpejta demokratike në Egjipt.

Sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka thënë në një bisedë telefonike me zëvendëspresidentin egjiptian Omar Suleiman se e nevojshme është një axhendë reformash konkrete dhe një plan i qartë kohor në mënyrë që t`i tregohet publikut dhe opozitës se qeveria në Kairo angazhohet për ndryshime.

Lidhur me sulmet mbi gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njëriut, Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë ku thuhet se Kairo mban përgjegjësinë në mbrojtjen e popullit.
Një ditë më parë, Mubarak mbajti takime me zyrtarë, përfshirë kryeministrin, ministrat e naftës dhe financave dhe guvernatorin e bankës qendrore.

Ministri i Tregtisë tha se eksportet kanë rënë për 6 përqind në janar për shkak të trazirave. Sipas disa vlerësimeve, kriza po i kushton vendit afërsisht 310 milion dollarë në ditë.

 

Top Channel