Egjipt, nisa dita e 12 e protestimeve

05/02/2011 09:25

Me mijëra protestues po grumbullohen në sheshet kryesore të kryeqytetit Kajro, për të kërkuar për të 12-n ditë radhazi largimin e presidentit Hosni Mubarak.

Megjithatë, pavarësisht se vala e protestave ka ardhur në rritje dhe së fundmi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë bashkuar korrit që kërkon largimin e Mubarak-ut, 82-vjeçari nuk jep shenja se do të japë dorëheqje.

Mediat përfolën se zëvendëspresidentit Omar Suleiman do të takohej sot me antarë të opozitës, për t’u komunikuar marrjen e pushtetit në një qeveri të përkohshme deri në zgjedhje, por protestuesit theksojnë se së bashku me Mubarak-un duan që të largohet e gjithë klasa politike drejtuese nga pushteti.

Presidenti deklaroi ditën e enjte se nuk ka dëshirë të qëndrojë në pushtet, por nuk mund të largohet, pasi i frikësohet një gjendje kaosi edhe më të madh në Egjipt.

Më shumë se 300 persona kanë humbur jetën deri tani në demonstratat e dhunshme, ndërsa vendi po humb 400 milion euro në ditë, si pasojë e largimit të turistëve dhe paralizimit të jetës ekonomike.

Top Channel