Clinton: Valë pozitive për Lindjen e Mesme

05/02/2011 12:35

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi se Lindja e Mesme do të përballet me një “stuhi perfekte”, e cila do të lejojë ndërrimin e regjimeve autoritare me sisteme demokratike.

Duke folur në konferencën e sigurisë në Mynih, numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lëshoi një tjetër mesazh për largimin e Mubarak-ut, duke thënë se “status quo në rajon nuk mund të ruhet më”.

”Tranzicioni në demokraci mund të jetë kaotik, por në fund do të lejojë njerëzit që të gëzojnë frytet e demokracisë”, deklaroi Clinton. “Kjo është një stuhi perfekte për atë që sjell në vetvete.

Protestat në Tunis, Kajro dhe të gjithë qytetet e tjera po sjellin demokracinë në një rajon të shtypur të botës dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë”.

Megjithatë, Sekretarja e Shtetit paralajmëroi se vendet që po dalin nga autoritarizmi mund të bien përsëri në autoritarizëm. “Megjithatë, të gjithë duhet të kenë të qartë se demokracia nuk arrihet duke rrëzuar një regjim. Ajo lind vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Protesta të mëdha ka patur edhe në Jordani e Jemen, gjatë ditëve të fundit.

Top Channel