Shpërthejnë cmimet e ushqimeve

04/02/2011 16:20

Vala e rritjes së cmimeve po zgjerohet duke përfshirë thuajse të gjitha produktet që shërbejnë për lëndë të para, por edhe ato ushqimore.

Indeksi i Organizatës Botërore të Ushqimeve, i cili mat ecurinë e cmimeve në treg, arriti një ditë më parë rekordin historik të të gjitha kohërave, më i lartë edhe se ai i krizës së cmimeve të tre viteve më parë.

Rritja, e cila fillimisht nisi tek lëndët e para, ka qenë spektakolare duke vënë nën alarm institucionet financiare që i monitorojnë ato.

Cmimi i naftës është rritur krahasuar me një vit më parë me gati 43 për qind, ai i bakrit me 53.8 për qind, duke shënuar rekordin e të gjitha kohërave.

Rritje të fortë ka patur edhe për pambukun, cmimi i të cilit krahasuar me një vit më parë është rritur me 2.5 herë.

Tek produktet ushqimore, cmimi i grurit ka arritur në rreth 250 euro për ton, ose dy herë më shumë se një vit më parë. Rritje ka patur tek sheqeri dhe orizi, dhe së fundmi vala ka përfshirë edhe kafenë.

Cmimi i kafesë në tregjet ndërkombëtare ka shënuar muajt e fundit një rritje të paprecedentë për shumë vite. Në bursën e Nju Jorkut, cmimi kafesë arriti në 250 dollarë për pound, niveli më i lartë që nga viti 1997.

Krahasuar me të njëtën peirudhë të vitit të kaluar, cmimi i kafesë është rritur me gati dy herë për shkak të disa faktorëve njëherësh.

Së pari, prodhimi në Kolumbi, një nga eksportuesit kryesorë të kafesë në botë, ka shënuar një rënie të fortë këtë vit duke qenë 25 për qind më i ulët se sa parashikimet fillestare për shkak të motit të keq me shira të dendur. Vec prodhimit të ulët, cmimet e kafesë po rriten edhe nga kërkesa e lartë.

Për shumë ekspertë, kjo rritje e cmimeve, që po përfshin të gjitha produktet, është vazhdim i asaj që nisi tre vjet më parë dhe që u ndërpre vetëm përkohësisht nga kriza globale.

Sipas tyre, ekuilibrat botërorë mes kërkesës dhe ofertës kanë ndryshuar. Rritjet e forta ekonomike në Kinë, Indi dhe Brazil kanë bërë që qindra milionë njerëz të dalin nga varfëria dhe të rrisin konsumin, duke tronditur ekuilibrat mes prodhimit dhe konsumit botëror.

Top Channel